Rivlerësimi i historisë, AIDSSH dhe RTSH marrëveshje për shfrytëzimin e materialeve arkivore të dy institucioneve

26 prill 2024, Tiranë- Vendosen e urat e bashkëpunimit mes Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit(AIDSSH) dhe Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) në fushën e kujtesës, për rivlerësimin e ngjarjeve historike, nëpërmjet përdorimit të arkivës filmike të RTSH-së, ballafaqimit të tyre me dokumentet e arkivës së AIDSSH me synim hedhjen dritë mbi krimet dhe pasojat e diktaturës së proletariatit, ri dimensionin e personaliteteve historike të stigmatizuara, ndërgjegjësimin dhe edukimin e brezave të rinj.

 Sipas marrëveshjes së firmosur mes kryetares së AIDSSH-së, Dr. Gentiana Sula dhe Drejtorit të Përgjithshëm, për Radio Televizionin Shqiptar, z. Alfred Peza bashkëpunimi mes palëve do të përqendrohet në realizimin e :

 -programeve të përbashkëta për të bërë të mundur shfrytëzimin e arkivave të RTSH-së dhe TVSH-së dhe dokumenteve të ish-Sigurimit te Shtetit për periudhën ’44-’91, mbi data dhe ngjarje historike me interes për Autoritetin.

-promovimin e vlerave historike dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në diktaturë

-mediatizimin e aktiviteteve përkujtimore apo edukative të AIDSSH-së si: “Dosja e hapur”, “Gjyqet e inskenuara”..

-krijimit të hapësirave televizive për programe të përbashkëta në funksion të Platformës: “Të mësojmë mbi të shkuarën - burime arsimore të hapura,1944-1991”, në kanalin “RTSH Shkolla”, në formatet si: podcast, video të shkurtra, etj.;

-programit radiofonik për profile biografike të shquara, të cilët janë bërë të njohura kohët e fundit;

-bashkëpunimit në krijimin e dokumentarëve me fokus fëmijët dhe të rinjtë, duke filluar me dokumentarin “50-vite nga Revolta e Spaçit”

-risjelljen e programit të fëmijëve “TROÇ”, duke u fokusuar mbi kujtesën demokratike;

-bashkëpunimin mbi përzgjedhjen dhe trajtimin e dokumentacionit arkivor të Ish-Sigurimit të Shtetit rreth figurave historike/kundërthëniet e familjareve, në programet televizive të RTSH-së: “Dritëhijet”, dhe “Dosje të hapura”.

 Zhvillimi i një dialogu të shëndetshëm shoqëror mbi të shkuarën në emër të një të ardhmeje më të mirë është një nga misionet kryesore të AIDSSH-së.  RTSH është partneri ri që shtohet numrit në rritje të institucioneve vendase dhe të huaja me të cilat AIDSSH bashkëpunon me krijimin e saj.

Kjo marrëveshje vjen edhe në funksion të zhvillimit të platformës digjitale që AIDSSH po realizon në partneritet me Ministrinë e Arsimit. AIDSSH në funksion të kësaj platforme ka lidhur marrëveshje dhe me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe synon partneritet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ISKK, Akademinë e Shkencave, me qëllim sigurimin e burimeve autentike dhe tekste të kaluara në filtrin shkencor në shërbim të mësuesve të arsimin parauniversitar.