Tiranë, 20 maj 2025 – Me rastin e 52-vjetorit të Revoltës së Spaçit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit organizoi një ceremoni përkujtimore në ambientet e Bibliotekës së Kryeministrisë duke prezantuar për herë të parë platformën dixhitale www.spac.al, një arkivë e hapur për dokumentimin dhe edukimin mbi historinë e kampit të burgut të Spaçit dhe krimet e komunizmit në Shqipëri.
Në fjalën e saj, kryetarja e AIDSSH, znj. Gentiana Sula, theksoi rëndësinë e dokumentimit të së shkuarës për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë:
“Revolta e Spaçit dhe historitë e mbi 2,000 të dënuarve politikë janë një testament i fuqisë së shpirtit njerëzor për të mos u dorëzuar. Ne nuk mund të ndryshojmë atë që ndodhi, por mund të ndryshojmë fundin e saj përmes dokumentimit, edukimit dhe rivendosjes së dinjitetit për ata që vuajtën padrejtësisht.”
Znj. Sula nënvizoi gjithashtu përpjekjet institucionale për të adresuar padrejtësitë dhe stigmat që ndjekin të përndjekurit politikë:
“Autoriteti ka propozuar ndryshime ligjore për njohjen zyrtare të vuajtjeve të tyre, përfshirë periudhat e internimit, punën e papaguar, të drejtat e pensionit për të burgosurit e minierave dhe muzealizimin e Spaçit. Këto janë hapa të domosdoshëm për të çrrënjosur diskriminimin dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më humane.”
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, z. Karl Bergner, vlerësoi rolin e kujtesës në forcimin e demokracisë, si dhe përgëzoi Autoritetit për krijimin e kësaj arkive digjitale e cila jo vetëm ruan kujtesën për të shkuarën, por edhe përcjell mësime për brezin e ri.“Ju paguat çmimin e lirisë. Kujtesa është themeli i një shoqërie të shëndetshme dhe e nevojshme për të ndërtuar të ardhmen me përgjegjësi. ”
Z. Gjergj Marku, anëtar i Autoritetit dhe kryetar i grupit të punës për dokumentimin e Spaçit, theksoi:
“ Ne kërkojmë që Spaçi të kthehet në një vend të kujtesës kombëtare, në një muze kombëtar dhe një qendër edukimi për brezat e rinj. Ky vend nuk është thjesht një ish-burg; është një simbol i dhimbjes, por edhe i qëndresës njerëzore. Spaçi është plagë, por edhe krenari. Është errësirë, por edhe dritë. Është dëshmi, por edhe amanet.
Qëndrojmë të angazhuar që heshtja dhe harresa të mos mbulojnë një histori që i përket çdo shqiptari që beson në liri. Kemi për detyrë të mos lejojmë që viktimat të harrohen dhe krimet të fshihen nga kujtesa kolektive.”
Platforma sjell për publikun lista të të dënuarve, dëshmi gojore, intervista, letërkëmbime dhe dokumente zyrtare, përfshirë materialet mbi revoltën e Majit 1973, si një mjet për reflektim qytetar dhe edukim ndërbrezor.
Ish-i dënuari politik Lekë Mirakaj e cilësoi revoltën e Spaçit si një moment kulmor të dinjitetit kombëtar:
“Revolta e Spaçit është ndër kulmet e krenarisë kombëtare. Shteti duhet të kujdeset dhe të garantojë pension dinjitoz për të burgosurit politikë, jo më pak se sa ata që kanë shërbyer në organet shtypëse.”
Nestor Topençarov, një tjetër i mbijetuar i kampit të Spaçit, ndau me publikun përvojën e tij të burgut:
“Çdo ditë ishte stres. I mbyllur mes maleve, rrethuar me tela me gjemba. Kur hyje në galeri, nuk e dije a do të dilje. Kur ktheheshe në kamp, policët të provokonin për të të futur në birucë.”
Nuri Stepa, një tjetër pjestar i revoltës tha se : Në këtë ditë kujtese, nuk mund të mos rikujtojmë ekzekutimi e katër të rinjve të guximshëm të mbetur pa varr, Pal Zefit, Dervish Bejkos, Skënder Dajës, Hajri Pashajt.”
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit rithekson angazhimin për të ruajtur kujtesën historike dhe për të siguruar që vuajtjet e ish-të përndjekurve të mos fshihen, por të shërbejnë si burim edukimi për brezat e ardhshëm.